Pas një përvoje mbi 15 vjeçare si arsimtar i gjuhës angleze, në vitet e fundit paralelisht edhe si Koordinator për Cilësi, erdhi koha për përgjegjësi të reja.
I lumtur për nderin dhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbart me vete ky post, natyrisht se këtë lajm po e ndaj me ju me ndjenja të përziera. Nuk është e lehtë asnjëherë për një mësues të lë ditarin dhe të mos jetë pjesë aktive e mësimdhënies.
Konsideroj se kam lënë mjaft trashëgimtarë, ish-nxënës të cilët sot janë arsimtarë të gjuhës angleze. Shumë të tjerë janë duke vazhduar studimet edhe në drejtime tjera ose janë punësuar, gjithmonë duke shfrytëzuar gjuhën angleze si një armë mjaft të fuqishme sot në tregun e punës, gjë për të cilën jam shumë krenar.
Shkolla “Bajram Curri” e cila e mban epitetin si njëra prej shkollave më me traditë dhe me të suksesshme në vend, është në fund të një cikli të saj zhvillimor. Natyrisht se planin e ri zhvillimor do t’ua prezantojmë organeve komunale por edhe akterëve të tjerë në kohën e duhur.
Mua më mbetet që tërë kapacitetin tim profesional dhe personal ta shfrytëzoj në të mirë të zhvillimit të gjithëmbarshëm të shkollës dhe realizimit të vizionit që kemi për të. Në këtë kuptim pres bashkëpunimin e të gjitha palëve pa dallim.
***
Zotin e Madhërishëm çdoherë e falenderojmë për çdo mirësi në jetën tonë.
Falenderues, mirënjohës dhe krenar përherë me familjen
time për përkrahjen e pakursyer në çdo hap të jetës sime.

Falenderim për të gjithë kolegët dhe stafin shkollës sonë me të cilët kaluam vite të mrekullueshme së bashku dhe me të cilët do të bashkëpunojmë me përkushtim në vitet në vijim.
Veçanërisht mirënjohës ndaj Drejtorit, Tahir Shabani për mirëkuptimin dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë tërë këtyre viteve në të gjitha proceset, aktivitetet, sukseset dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar shkolla.
Krenar me të gjithë nxënësit dhe ish-nxënësit e mi dhe me çdo të arritur të tyre. Po ashtu shpreh konsideratë të lartë për komunitetin e prindërve të shkollës sonë me të cilët presim bashkëpunim sa më të mirë edhe në vitet në vazhdim.
Dhe gjithsesi shumë mirënjohës ndaj organeve komunale të Komunës së Fushë Kosovës për vlerësimin, besimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar.
*Mandati im si Drejtor i Shkollës “Bajram Curri” fillon më 17 janar 2023. Më 16 janar del në pension Drejtori aktual, i nderuari z.Tahir Shabani.
E marrur nga:
Fidan Hasani
ExpressAktiv