Walker: Librin për Reçakun po e shkruaj para se të shkoj në botën tjetër

Ish-Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, tha se “librin për masakrën e Reçakut po e shkruaj dhe po provoj ta përfundoj para se të shkoj në botën tjetër”.

Këto komente, Walker i bëri pasi Qeveria e Kosovës i ndau 70 mijë euro për botimin e librit.

“Qenka interesante, s’paskam dëgjuar”, tha Walker kur u pyet për ndarjen e këtyre fondeve, derisa tha se do të niset për në Kosovë për të marrë pjesë në datën përkujtimore të 15 janarit për Masakrën e Reçakut.

“Do të jetë një libër i vetëm, përshkrime të përjetimeve të mia të ngjarjeve në Reçak, të atij krimi. Do të jetë një përmbledhje e asaj”, tha Walker për Insajderi, transmeton Klankosova.

Në lidhje me rëndësinë e botimit të këtij libri, William Walker kujton se Masakra e Reçakut ishte pikëkthesa historike e cila lëvizi tërë Aleancën e Atlantikut të Veriut për të ndërhyrë në Kosovë kundër regjimit gjenocidial të Sllobodan Millosheviçit.

“Rëndësia është se Kosova është një shtet i ri në qendër të Evropës dhe nuk mendoj se do ishte bërë ashtu siç u bë nëse masakra e Reçakut nuk do të kishte ndodhur dhe reagimi ndërkombëtar të mos kishte qenë ai që ishte, aq fuqishëm. Solli luftën e NATO-s, që mendoj që askush atë kohë po e mendonte, e cila erdhi më së shumti si rezultat i reagimit pas masakrës së Reçakut”, tha ai.

“Mendoj se Qeveria në Kosovë dhe njerëzit që kam takuar gjatë 23 viteve gjithmonë më kanë pyetur se a do të shkruani libër për këtë ngjarje të rëndësishme, dhe pikërisht këtë po e bëj”, tha Walker.

ExpressAktiv