Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po pretendon se shteti i tij u bë palë në atë se kur do t’i jepet leja Forcave të Sigurisë së Kosovës, që të veprojnë në veri të Republikës.

“Kemi garanci që ata jo vetëm pa lejen e NATO-s por edhe pa pëlqimin e serbëve lokalë dhe Serbisë, nuk mund të shkojnë në veri. Këtë s’e kemi pasë kurrë deri sot”, është shprehur Vuçiq.

Kjo për FSK-në por edhe amnistia ndaj pjesëmarrësve në barrikada nga shtatori 2021 në dhjetor 2022, Vuçiq, tha se u jetësuan pas ujdisë për heqjen e barrikadave, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë, foli për prezencën e policisë kosovare në krejt territorin e shtetit që Serbia me Kushtetutë akoma e konsideron pjesë të saj.

Ai s’pajtohet kurrsesi me faktin që forcat e rendit nuk kanë asnjë kufizim territorial për funksionim.

“Katër baza i kanë ngritur. Pyesni  pse po e bëjnë një gjë të tillë ? Këtë po e bënë jo për të krijuar besim ndaj popullit që jeton në veri të Kosovës, por për të kërcënuar atë popull. Po e bën që të mund t’i rrahësh njerëzit që me të dashurat e tyre puthen apo bëjnë dashuri në makinë”, tha presidenti serb të premten në Beograd.

Sikur presidenti ashtu dhe qeveria e Beogradit, kritikuan vendimin e Qeverisë së Kosovës, që sipas tyre i ndau 300 mijë euro për renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës, në Mitrovicë.

“’I madhi Xhafer Deva’ ai është ideologu i tyre. Po Kurti imagjinon të jetë si Enver Hoxha, prandaj s’e duron Edi Ramën dhe askënd tjetër. Ai disi do të jetë përzierje e Enver Hoxhës dhe nëse mundet pak edhe si Zelensky. I dini ato marrëzitë; Vuçiq është Putin i Vogël dhe ai do të bëjë atë e këtë dhe siç po e shihni ai prapë gënjeu. Kjo neve fare nuk na intereson. Na intereson vetëm që ai ta lë popullin serb në paqe e mos të na bëjë maltretime”, shtoi Vuçiq në konferencën për media.

ExpressAktiv

KlanKOsova.tv