Valbona Tahiri / RTK

Java e fundit e muajit prill, në të gjithë botën u shënua si java e vajzave në teknologji e cila për herë të parë është realizuar edhe në Kosovë, përkatësisht në komunën e Prishtinës, e cila viteve në vazhdim pretendohet të zgjerohet edhe në qytetet e tjera të vendit tonë.

Tea Pula e cila tashmë është zhvilluese e softuerit në kompaninë “Kode Labs” në ligjëratën e mbajtur për vajzat e shkollës “Gjergj Fishta”, me temën “TIK si zgjedhje e karrierës” tregoi si është larguar nga mjekësia si zgjedhje e saj për të ardhmen dhe ka përzgjedhur fushën e teknologjisë.

Tea vajzat e kësaj shkolle i udhëzoi edhe në çfarë forme të interesohen për fitimin e një burse për shkollimin e tyre.

“Nuk do të thotë që vetëm me përfunduar fakultet mund të kesh mundësi me bë diçka në jetë. Me fushën e teknologjisë informative mund të krijosh mundësitë mëdha sot për punë vetës,” tha ajo për RTK-në.

Vajzat të cilat ishin pjesë e ligjëratës së Teas, treguan se këto ligjërata u mundësojnë atyre që të njoftohen më në detaje se cila është e ardhmja e tyre nëse zgjedhin drejtimet të cilat janë pjesë e teknologjisë informative.

Madje nxënëset vënë në dukje se për zhvillimin e lëndës së teknologjisë e kanë edhe kabinetin e pajisur mjaft mirë në shkollën “Gjergj Fishta”.

Ligjëratat e tilla u zhvilluan në kuadër të javës së vajzave në TIK, të cilën për herë të parë e ka organizuar komuna e Prishtinës me moton “Vajzat në TIK”, e cila nëpërmjet 15 organizatave jo qeveritare që merren me teknologji ligjërua mbi rëndësinë e kësaj fushe. E qëllimi kryesor i gjithë këtij organizimi është promovimin i vajzave dhe grave në Teknologji Informative.

I gjithë ky aktivitet është një ide e cila mori frymë dhe u jetësua nga nënkryetarja e Prishtinës Donjeta Sahatçiu.

“Ishte një ëndërr e jona nëpërmjet komunës për t’i bërë bashkë të gjitha organizatat e ta kemi një zë të përbashkët. Në fund ky edhe është roli i komunës. Kjo është një iniciativë vjetore. Gjithsesi do vazhdohet vite për vit dhe presim që një numër i madh të bashkëngjiten”, thotë Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Prishtinës në bisedë për RTK-në.

Zgjedhje e Teknologjisë Informative nga vajzat edhe gratë si zhvillim të karrierës së tyre është edhe një mundësi e mirë për punë.

Kompanitë të cilat operojnë në Kosovë në fushën e teknologjisë vënë në dukje se 80 % e atyre që përfundojnë trajnimet nëpër kompanitë tyre edhe kyçen në punë në këtë fushë.

Këto të dhëna dolën nga diskutimi i realizuar në mes të drejtuesve të kompanive të teknologjisë, udhëheqësve të Odës Ekonomike Amerikane dhe përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës.

“Deri tash po tregohet e suksesshme kompania ku jam. Mënyra se si po mundohemi t’i emancipojmë vajzat që të zgjedhin një karrierë në TIK është duke ofruar trajnime kualitative në akademinë tonë, ku më pas ato e kanë mundësinë që t’i bashkohen kompanisë si praktikante për 3 muaj dhe më pas ato punësohen gjithmonë duke u bazuar në performancën. Qëllimi jonë si kompani si “Kutia” është të kemi një staf 50 me 50 vajza dhe djem”, thotë Liridona Syla nga kompania “Kutia”.

Më e mira në shoqërinë kosovarë është që janë larguar paragjykimet se fusha e teknologjisë është vetëm për djem theksoi drejtor ekzekutiv në OEAK, Arian Zeka.

“Dekada më herët është paragjykuar se ky profesion është vetëm për meshkuj. Por kjo qasje ka ndryshuar duke ditur faktin që femrat tani punojnë në IT…” tha Zeka për RTK.

Lënda e teknologjisë informative viteve të fundit është më prezente dhe më e avancuar edhe në shkolla, pasi shkollat tashmë në kryeqytet si ato në qytete por edhe fshatra janë të pajisura me pajisje teknologjike.

Por edhe në këtë kohë ka nevojë për investime shtesë në këtë fushë, pasi kurrikula e re shkollore parasheh që planprogrami mësimor të bazohet dhe të zhvillohet në bazë të standardeve të avasuara të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Afrim Gashi” në Hajvali të Prishtinës orën e teknologjisë informative e zhvillojnë në kabinet, por mungesa e kompjuterëve të bollshëm bënë që nxënësit shpesh të ulen nga dy në një kompjuter për t’i vijuar mësimet në këtë lëndë.

Në këtë shkollë mungon edhe rrjeti i internetit, gjë e cila e pamundëson zhvillimin normal të lëndës së teknologjisë informative sipas standardeve evropiane që pretendohet të jenë shkollat tona, si shkolla të shekullit 21.

“Shkolla jonë e ka kabinetin e teknologjisë informative që numëron 24 kompjuter nuk janë të mjaftueshëm për shkak se kemi numër më të madh të nxënësve, por bashkëpunojnë me nga dy nxënës me një kompjuter aty ku është numri më i madh i nxënësve. Mungesa e internetit është problem në vete në shkollën tonë”, deklaron mësimdhënësja Mimoza Rafuna në shkollën “Ahmet Gashi” në Hajvali.

Pavarësisht vështirësive nëpër shkolla me pajisjet teknologjike e internetin, nxënësit e shkollës “Pavarësia” në kryeqytet lëndën e teknologjisë informative e cilësojnë kreative.

“Nuk është e vështirë për mua, lyp vetëm koncentrim nëse donë me arrit diçka. Unë ndjek një kurs që të shkollës digjitale…” tregon nxënësja Rea Osmani.

Në pajisjen e shkollave me kabinete të teknologjisë informative do të investohet edhe këtë vit nga komuna e Prishtinës, pasi digjitalizimi shihet si e ardhmja e shkollës, vuri në dukje drejtoresha e arsimit Besianë Musmurati.

“Është bërë një punë e mirë e pajisjes me kabinete me paisje të TIK-ut dhe me internet, por ne si komunë edhe këtë vit do të investojmë në furnizimin me kabinete të reja të teknologjisë informative dhe shpresojë që gjatë vitit të gjitha shkollat të jenë me pajisje të reja. Digjitalizimin e kemi si koncept themelor, kjo është një projekt që na ka ardhë si domosdoshmëri nga pandemia, dhe digjitalizimi është e ardhmja e shkollës dhe shkollimit… ” thotë për RTK-në, Musmurati.

E në komunën e Fushë Kosovës, shkolla “Lismiri” në fshatin Lismir nuk ka kabinet e madje as një pajisje teknologjike, nxënësit në këtë shkollë lëndën e teknologjisë informatike e zhvillojnë vetëm në formën teorike, e cila gjë sipas drejtoreshës është një formë e mësimit të cilën e quajti parahistorike.

Kjo shkollë është larg komunës së Fushë Kosovës vetëm 2 kilometra, por pavarësisht largësisë së vogël, aspekti i zhvillimit të mësimit aty pa fajin e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollës, mësimi realizohet vetëm në formën teorike pasi mungon teknologjia në secilën lëndë.

“Është e vërtetë se shkolla jonë nuk kemi kabinete të teknologjisë informative për kundër atyre kërkesave që kemi bërë në vazhdimësi në drejtorinë komunale që shkolla të paiset me llatop dhe me kabinet të informatikës, por ende nuk kemi kërkesë reali që kjo të realizohet. Sa i përket fëmijëve ata janë viktima që më së shumti përsojnë për arsye se mësojnë vetëm në teori dhe jo në praktikë”, deklaron drejtoresha e shkollës “Lismiri” Fushë Kosovës, Shemsije Fetahu.

Java e fundit e muajit prill në të gjithë botën shënohet si java e vajzave në teknologji e cila për herë të parë është realizuar edhe në Kosovë, përkatësisht në komunën e Prishtinës, e cila viteve në vazhdim pretendohet të zgjerohet edhe në qytetet e tjera të vendit tonë.

ExpressAktiv

Rtk.live