Një mjek ka vdekur gjatë orarit të tij të punës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës këtë të shtunë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, për Klankosova.tv ka thënë se sipas dyshimeve fillestare bëhet fjalë për vdekje natyrale.

Por, Prokurori i Shtetit ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kontrollohen pamjet e kamerave të sigurisë.

“Mirëpo, për t’i hequr te gjitha dyshimet, Prokurori i Shtetit ka kërkuar nga Policia e Kosovës të kontrollohen të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë”, tha Nikçi.

Kurse, në lidhje me rastin ka reaguar edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës, ku përmes një njoftimi ka bërë të ditur se mjeku Reshat Emra, ka vdekur nga infrakti, gjatë orarit të tij të punës si kujdestar dite.

“Shumë net pa gjumë e angazhim vetëmohues, ky është angazhimi i Mjekëve qe sakrifikojnë shumëçka për ti shërbyer pacientëve. Në situatë të tillë ishte edhe Dr.Reshati ku në krye të detyrës e gjeti dhe vdekja”, thuhet në reagimin e spitalit, transmeton Klankosova.tv.

ExpressAktiv