Shpërthim gazi në Kinë, 16 të vdekur

Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe dhjetë të tjerë janë lënduar nga shpërthimi i gazit në jugperëndim të Kinës të premten, sipas Ministrisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Ministria tha se një kafene e një zyre të qeverisë lokale në qytetin Chongqing u shemb, pasi dyshohet se pati rrjedhje të gazit dhe shpërthim, duke lënë të ngujuar gjithsej 26 persona, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.

Më shumë se 600 pjesëtarë të ekipeve emergjente morën pjesë në misionin e shpëtimit dhe zyrtarët janë duke e hetuar shkaktarin e zjarrit, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe, Kina është përballur me disa shpërthime nga gazi vjetëve të fundit. Në tetor, katër persona vdiqën dhe mbi 30 të tjerë u lënduan nga një shpërthim në një restorant në qytetin Shenyang.

Në qershor, të paktën 12 persona vdiqën nga një shpërthim i madh, që ndodhi në provincën qendrore kineze, Hubei.

ExpressAktiv

GazetaExpress