Anders Behring Breivik, i cili po kërkon lirim me kusht dhjetë vjet pasi e kishte kryer sulmin më të përgjakshëm në Norvegji në kohë paqeje, paraqet rrezik të njëjtë ndaj shoqërisë si para një dekade, tha të mërkurën në gjykatë një psikiatre.

“Rreziku i akteve të dhunës në të ardhmen nuk ka ndryshuar që nga vitet 2012 dhe 2013, kur i bëra vlerësimet e mia të para”, tha Randi Rosenqvist, e cila ia ka bërë disa vlerësime të dënuarit Breivik gjatë dekadës së kaluar. Ajo këtë deklaratë e bëri në seancën për shqyrtimin e lirimit me kusht.

Neonazisti famëkeq ishte dënuar me 21 vite burgim më 2012. Dënimi mund t’i zgjatet për aq gjatë sa vlerësohet person i rrezikshëm, shkruan France24, përcjell Gazeta Express.

Në seancën për shqyrtimin e lirimit me kusht, ai pretendoi se është distancuar nga dhuna dhe dëshiron që të lirohet, pasi e ka vuajtur dënimin minimal sipas vendimit të gjykatës prej dhjetë vitesh burgim.

Vlerësimi i të burgosurit nga psikiatrja Rosenqvist vlerësohet si vendimtar për të vendosur nëse Breivik-ut do t’i zvogëlohet dënimi. Shumica e ekspertëve vlerësojnë se nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë në këtë fazë.

Gjatë seancës, i dënuari u ankua për kushtet në burg, duke thënë se është trajtuar si kafshë, pa kontakte të mjaftueshme me botën e jashtme.

ExpressAktiv

GazetaExpress