Home Lajme Presidentja në Pragë: Jam këtu që të dëgjohet edhe zëri ynë

Presidentja në Pragë: Jam këtu që të dëgjohet edhe zëri ynë

Jeton Musliu/RTKlive

Ka filluar samiti i Komitetit Politik Evropian në Pragë.  Pjesëmarrësit e 44 shteteve të Evropës, duke përjashtuar Rusinë dhe Bjellorusinë, janë duke diskutuar mbi sigurinë, energjinë dhe ndryshimet klimatike.

 

Samiti mbahet në nivel presidentësh dhe kryeministrash. Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

Në margjinat e samitit, mes të tjerëve, ajo do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz e presidentin francez, Emanuel Macron.

Në orën 16:30, është paralajmëruar se presidentja Osmani-Sadriu, do të mbajë edhe një konferencë për media.

Ndërkohë, duke hyrë në këtë samit, presidentja osmani iu drejtua mediave të shumta të pranishme.

Ajo tha se kjo është një ditë e rëndësishme për kontinentin evropian.

“Jam këtu në emër të Republikës së Kosovës të përfaqësoj vendin tim në këtë platformë të rëndësishme në të cilin secili prej nesh, në platformë të barabartë të kemi mundësinë që zëri ynë të dëgjohet”, tha presidentja Osmani.

“Përveç kësaj, të paraqesim edhe idetë tona dhe të marrim pjesë në veprime të përbashkëta kur  është puna tek sfidat dhe masat që duhet ndërmarrë”.

Presidentja deklaroi se do të marrë pjesë në diskutime e gjithashtu të ketë edhe takime dypalëshe me liderë të ndryshëm të vendeve të Evropës.

“Sigurisht se ajo me të cilën po përballemi është e madhe, sfidat janë të mëdha, andaj jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë së bashku, do të jemi në gjendje të merremi me secilën prej këtyre sfidave”.

Shqipëria në këtë samit po përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi mbledhjen e Komunitetit Politik Europian si një ide të vjetër, por që po vihet në zbatim në kohë krize.

Nga Praga ku ndodhet për mbledhjen e parë të Komunitetit Politik Europian, Rama tha se shpreson që të mos ketë një tjetër krizë për të pasur një mbledhje të radhës mes liderëve botërorë.

“Sigurisht që nuk është një ide e re, është një ide e shumë e vjetër, por e rilindur në kohë krizash dhe shpresoj që nuk do të kemi kriza të tjera tek të cilat mos të na duhet të bëjmë mbledhje të tilla si kjo, por nga kjo mbledhje ne do të vazhdojmë dhe do të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë komunitetin dhe njerëzit evropian”, tha Rama.

Komuniteti Politik Evropian nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re.

Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit.

Në thelb është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore.

ExpressAktiv

rtk.live