Kushtet e përgjithshme për regjistrim
KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR REGJISTRIM NË UNIVERSITETIN “UKSHIN HOTI” NË PRIZREN NË STUDIMET THEMELORE BACELOR
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, për vitin e parë të studimeve në secilin vit akademik hap konkurs publik për regjistrimin e studentëve të rregullt dhe me korrespodencë në bazë të drejtimeve përkatëse. Numri i studentëve përcaktohet me vendim të Senatit dhe me miratim të MASHT-it në bazë të akreditimit për secilin program studimor.
Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Republikën e Kosovës si dhe në shtete tjera jashtë Republikës së Kosovës në kushte të njëjta të konkursit.
Përjashtimisht, mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti ”Ukshin Hoti” rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta.
Mbi numrin e përgjithshëm të studentëve, universiteti do të rezervojë të drejtën për regjistrimin e studentëve që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorit deri në 2% (anëtarë të familjes së ngushtë të dëshmorëve janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët).
Bazuar në UA të MASHT, Universiteti “Ukshin Hoti” do të rezervojë deri në 12% të vendeve nga numri total i studentëve, për komunitetet pakicë, numër ky i paplotësuar në afatin e parë të cilët do të shpërndahen në mënyrë proporcionale, sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve, për secilin fakultet veç e veç.
Në Universitet do të pranohen edhe studentë nga shtete të tjera (të rajonit) me automatizëm, deri në 3 % të numrit total, nëse ky numër nuk është plotësuar në afatin e parë. Kandidatë joshtetas të Kosovës, konsiderohen ata kandidatë që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë Kosovës, dhe shtetasit e huaj. Këta kandidatë me rastin e aplikimit, duhet ta dorëzojnë edhe nostrifikimin e diplomës nga institucionet përkatëse. Njohja (nostrifikimi) i diplomave bëhet në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë, ndërsa barasvlerësimi notave bëhet nga Zyra për Çështje Akademike në Universitetin “Ukshin Hoti”.
Kandidatët e kualifikuar sipas pikës 4, 5 dhe 6 të konkursit, nëse arrijnë të kualifikohen sipas pikës 1 dhe 2 të këtij konkursi, atëherë këta kandidatë nuk do të llogariten në kuadër të kuotës së rezervuar.
Kalkulimin e numrit për vendet e rezervuara për komunitete sipas UA të MASHT për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike e bëjnë vet njësitë akademike përkatëse.
Njësitë akademike për kandidatët që aplikojnë sipas pikës 3, 4, 5 dhe 6 duhet të bëjnë verifikimin e dokumentacionit para publikimit të rezultateve përfundimtare.
Çdo kandidat mund të konkurrojë vetëm në një program. Studentët aktual të universitetit nuk mund të riaplikojnë në ndonjë program tjetër.
Deklarimi i rrejshëm në formularin për vetëdeklarim, konsiderohet vepër penale sipas nenit 391 të Kodit Penal (KODI NR.04/L-082) të Republikës së Kosovës.
Vërejtje:
Rregullat për regjistrim vlejnë në bazë të Konkursit publik për secilin vit akademik, ndërsa këtu janë dhënë rregullat e përgjithshme si orientim për kandidatët që planfikikojnë të regjistrohen në UPZ!