Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë vendosur në rrugën për Jarinje, raporton T7 nga vendi i ngjarjes.

Njësia Speciale po monitoron aty situatën, një ditë pasi Kosova ndaloi mbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës.

Një grup serbësh janë mbledhur në Mitrovicën Veriore për të kundërshtuar mosmbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës. Policia ka konfirmuar për Express se tubimi i tyre ka përfunduar dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident.

Në mesin e personave që u panë në këtë tubim janë ministri Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendit.

Gjatë kësaj kohe, serbët kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë “votuar” disa nga të pranishmit.

Nga aty, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë të ditur se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Ai ka thënë se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Rakiq, kur u pyet se për çfarë reciprociteti bëhet fjalë, pohoi se nuk mund të përgjigjet për këtë.

Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve atje ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.

Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi. /Express/