Damjan Knezeviq, një serb që ka lidhje të afërta me grupin paramilitar rus Wagner, nga Rashka e Serbisë ka bërë thirrje për rezistencë nga barrikadat e vendosura nga grupet kriminale në veri të Kosovës.

Wagner është në pronësi të Yevgeny Prigozhit, njeri i afërt i presidentit rus Vladimir Putin.

Sipas Knezheviqit, shumë shpejt do të kuptohet mesazhi, siç e ka quajtur ai, i dërguar nga ata.

“Kjo nuk është hera e parë që unë me vëllezërit nga Mali i Zi dhe Republika Serbe takohemi. Ne merremi vesh, takohemi herë pas here sikurse tani për të dërguar mesazhe. Mesazhin do ta kuptoni shumë shpejtë që do ta dërgojmë”, ka thënë ai para nisjes së protestës në Jarinjë.

Ai shton se dikush nga ta do t’iu bashkohet barrikadave.

“Nuk i kemi ftuar ne, i kanë ftuar serbet që janë në barrikada. Ne kemi ardhur për të dëshmuar se ne ekzistojmë dhe për të vazhduar barrikadat. Mundet që dikush nga ne do të qëndroj [në barrikada]. Nuk e pranojmë asnjë institucion, nuk e pranojmë asnjë marrëveshje që është nënshkruar pas Rezolutës 1244. Shihemi në Jarinjë”, ka shtuar ai, raporton kp.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë të mbështetura nga regjimi i Beogradit.

Kjo situatë vazhdon të përkeqësohet për faktin se dhjetëra pjesëtarë të grupeve ekstremiste serbe dhe ruse, të armatosur kanë shtuar prezencën në këtë pjesë të Kosovës.

Përveç Wagnerit, prezent në këtë pjesë janë edhe pjesëtarë të grupit ekstremist rus “Ujqërit e Natës”. Ata shihen duke i dhënë përkrahje vendosjes së këtyre barrikadave, të vendosura një javë më parë, duke thënë se fitorja e Serbisë do të jetë po ashtu fitore e Rusisë.

Knezheviq që është drejtues i “Narodna Patrola” ka lidhje të afërta me Danilo Vuçiqin, që është biri i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Express Aktiv

GazetaSinjal