• KFOR: Ushtria e Serbisë duhet të kërkojë leje nëse i afrohet 1 kilometër kufirit me Kosovën

Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se Ushtria e Serbisë duhet të kërkojë leje nga KFOR-i vetëm nëse i afrohet një kilometër vijës kufitare me Kosovën.

“Pas raportimeve se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, e kanë vizituar ditë më parë njësitë e Ushtrisë të vendosura në zonën e Rashkës, 2 kilometra nga vija kufitare me Kosovën. Është e dobishme të kujtojmë se Forcat e Armatosura Serbe nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe trajnuar në territorin serb”, thuhet në njoftimin e misionit paqeruajtës përcjell Klankosova.tv.

KFOR-i thekson se Forca e Sigurisë duhet ta marrë pëlqimin paraprak nga ky mision për të shkuar në veri.

“Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”, thuhet tutje në komunikatën e KFOR-it përcjell Klankosova.tv

Misioni i NATO-s në Kosovës vazhdon të mbetet vigjilentë sa i përket situatës së sigurisë.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë vijës kufitare, duke mbështetur dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”.

ExpressAktiv

Klankosova.tv