Kompania “Panda-t” planifikon të ndërtojë fabrikë për montim dhe prodhim të mjeteve piroteknike, fishekzjarre, në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Menaxheri i kësaj kompanie Bajram Beqiri për Kallxo.com bëri të ditur se prona ku pritet të ndërtohet kjo fabrikë është private, e blerë nga kompania, në një zonë ku nuk ka banim.

“Propozimin për këtë impiant e kemi bërë ne, ende nuk ka nisur të ndërtohet, tokën e kemi blerë. Prej Komunës së Prishtinës kemi kushtet ndërtimore”- ka thënë ai.

Sipas tij, projekti është planifikuar t’i ketë disa ndërtesa përcjellëse për përpunimin dhe paketimin e mjeteve piroteknike, fishekzjarre.

“Aktualisht për këtë kompleks jemi pajisur me kushte ndërtimore nga komuna, kemi bërë ndërrimin e destinimit dhe procedurat tjera të parapara me Kushte Ndertimore të leshuara nga Komuna e Prishtinës me c’rast kemi aplikuar për leje ndërtimore ashtu si e dini pa u pajisur me pëlqimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis nuk mund të lëshohet leja ndërtimore”-shtoi ai.

Beqiri tutje potencoi se kanë pasur më herët takim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,  MMPHI-së, ku kanë dërguar të gjitha dokumentet e kërkuara e më pas u është kërkuar diskutimi publik.

“Kemi pas takim më herët me ministrinë, i kemi dërguar të gjitha dokumentacionet që janë kërkuar. Tani na kanë kërkuar diskutimin publik. Nuk ka diçka jashtë ligjit, nuk rrezikohet të ndërpritet procesi”- ka thënë ai.

Menaxheri i Panda-t, Bajram Beqiri theksoi se si fillim pritet të punësohen 20-30 persona me mundësi zgjerimi deri në 50.

“Fillimisht mendojmë se do të punësohen rreth 20 punëtorë duke shpresuar që në të ardhmen ky numër do të rritet deri në 50 punëtorë. Ndërtimi parashihet të filloj pasi të pajisemi me leje ndërtimore të dhënë nga Komuna e Prishtinës, ende nuk kemi leje pasi deri tash i kemi vetëm kushtet e ndërtimit dhe na janë kërkuar pëlqime prej agjencitë për mbrojtje të mjedisit. Ne këto të gjitha i kemi plotësuar dhe komuna nuk ka arsye të mos lëshojë lejen”-shtoi ai.

Beqiri shtoi se pas marrjes së lejes, për 6 muaj pritet të nisin me punime.

Sipas tij, leja për këtë ndërtim është e karakterit të përkohshëm pasi nuk e dijnë nëse do ketë sukses si biznes. Ai shtoi se  impiant i kësaj natyre aktualisht është vetëm në Shqipëri nga vendet e Ballkanit.

Lidhur me këtë projekt të kompanisë Panda-t, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se më datë 26.01.2023 në ora 10:00 në hapësirat e restorant “Villa Natyra”, Vranidoll, do të organizohet debat publik nga Kompania “Panda-T” Sh.p.k. Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Debati publik do të organizohet për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, VNM për prodhimin dhe montimin e mjeteve piroteknike fishekzjarrëve në Vranidoll.

Kompania Panda-t në nëntor të vitit 2022 ka publikuar një raport të vlerësimit të ndikimit në mjedis i kryer nga kompania e kontraktuar GeoSource Consulting.

Objektet do ndërtohen në ngastrat kadastrale nr: P-71914012-01156-1, toka e klases se 4 Livadhe e cila parcelë i ka 1,3641m².

Parcela ku do ndertohet impianti

Pikë reference për përgatitjen e VNM-së janë ligjet bazike mjedisore, ligjet për mediumet mjedisore dhe ligje të tjera që ndërlidhen me mjedisin, në veçanti ligji për VNM.

Me rastin e hartimit të raportit janë marrë për bazë ndikimet në mjedis dhe aplikimi i masave për zvogëlimin e ndikimeve gjatë fazës së ndërtimit të impiantit prodhimin dhe montimin e fishekzjarrëve, gjatë realizimit të procesit teknologjik, dhe pas përfundimit të aktivitetit.

Në bazë të raportit, objekti me i afërt është objekt industrial me një distance mbi 150 m në perëndim.

Sipas këtij vlerësimi, objektet banuese janë në një distance mbi 600 m, gjithashtu lokacioni me qendrën e fshatit Vranidoll ka një distancë mbi 1,3 km. Andaj, sipas këtij raporti, impianti në fjalë nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ relevant në popullatë, përpos që do të kenë vetëm dobi në aspektet ambientit dhe Ekonomik.

Bazuar nga të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AKMM) respektivisht sipas Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN), por edhe sipas observimeve në terren, në afërsi te lokacionit ku planifikohet të vendoset impianti i kompanis Panda-T nuk ka zona të mbrojtura.

Ndërsa, sa i përket lokacionit ku do të ndërtohet impianti i kompanis Panda-T, nuk do të ketë çrregullime në florë dhe biodiversitet dhe nuk do të ketë efekte negative në cilësinë ajrit dhe ambientit për rreth, nga ky impiant.

Në hapësirat ku do të ndërtohet impianti i kompanis Panda-T, nuk ka ndonjë lum që do të ishte në kundërshtim me ligjin për VNM, megjithatë në një distance në mbi 1.2 km, gjendet një lum në fshatin Rimanishtë.

Tutje, në raport theksohet se bazuar në llojin e veprimtarisë së impiantit, mund të konstatohet se nuk ka shqetësime, presione apo tregues që mund të diktojnë degradimin e kualitetit të ajrit në territorin e komunës në përgjithësi si dhe në lokacionin e projektit në veçanti, thuhet tutje në raportin e Geo Source Consulting.

Objektet  janë të konceptuar si objekte me atrium të brendshëm. Objektet kanë kulma dy ujor, ku ramja e rrafsheve të kulmit është prej së brendshmi dhe uji atmosferik derdhet në ulluqet e atriumit.

Me shfrytëzimin e pajimeve prodhuese në bazë të standardeve të zakonshme, sipas raportit, maksimumi i zhurmës në burim është 90 dB. Zhurma për zonën e banuar është plotësisht në kufijtë e standardit dhe gjatë ditës nuk do të kaloj 50 dB, kurse gjatë natës gjithashtu nuk do tejkalohet niveli 45 dB.

Sipas raportit për ndikimin në mjedis të GeoSource Consulting, ndikime në ambient mund të ketë vetëm gjatë procesit të punimeve në objekt.

ExpressAktiv

Kallxo.com