Kosova më 26 prill ka nënshkruar traktatin për t’ia dhënë Danimarkës me qira 300 qeli në burgun e Gjilanit.

Marrëveshja është kritikuar nga disa organizata të fëmijëve në Danimarkë, që thonë se ajo mund t’i shkelë të drejtat e njeriut, përcjell Gazeta Express.

Siç shkruan mediumi danez, Altinget, disa organizata thonë se mundësia që fëmijët t’i vizitojnë prindërit e tyre të transferurar në burgjet e Kosovës mund të komplikohet aq shumë sa mund të jetë në shkelje të të drejtave të njeriut.

Kësisoj, marrëveshja politike për dhënien me qira të burgjeve në Kosovë rrezikon t’i dëmtojë fëmijët, vlerësojnë në Danimarkë. Fëmijët kanë të drejtë t’i vizitojnë prindërit e tyre, por mund të jetë aq e shtrenjtë dhe e rëndë sa rrezikojnë ta humbasin marrëdhënien me prindërit e tyre, shkruan Altinget.

Marrëveshja me Kosovën është një nga veprimet e fundit të tani ish-ministrit të Drejtësisë, Nick Hækkerup, i cili të dielën njoftoi dorëheqjen, duke thënë se do të merret me sfida të reja. Siç njoftoi vetë ai në Facebook, nga 1 qershori, ish-politikani i njohur social-demokrat në Danimarkë do të jetë drejtor i Shoqatës së Birrëbërësve.

Marrëveshja e kritikuar nga disa organizata të fëmijëve tani do të jetë në dorë të ministrit të ri. Mattias Tesfaye, të cilit i kërkohet ta konsultojë ligjin.

Këtë marrëveshje e lavdëroi më 27 prill në Komisionin parlamentar për Integrime Europiane, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Një marrëveshje e tillë e fuqizon bashkëpunimin dhe po ashtu kemi marrë zotimet nga Danimarka që do të na ndihmojnë në secilën pengesë apo barrikadë që ne e kemi si shtet në anëtarësime në mekanizma të ndryshëm, qoftë në çështjen e liberalizimit të vizave”, tha ajo, duke theksuar se “fjalën e fundit e ka Kuvendi”.

Ish-homologu i saj danez, Nick Haekkerup po ashtu e kishte përshkruar marrëveshjen si shumë të favorshme për vendin e tij.

Sipas Haekkerup, marrëveshja siguron që kriminelët e deportuar nga Danimarka të mbahen në Kosovë në burgje që i plotësojnë standardet daneze. Sipas tij, burgu në Gjilan është shumë i përshtatshëm për këtë qëllim.

Gazetat daneze shkruan se marrëveshja përmban një pasazh sipas të cilit të dënuarit, të cilët vijnë ekskluzivisht nga vendet jashtë BE-së, duhet të deportohen drejtpërdrejt nga Kosova në vendet e tyre të origjinës pasi ta kenë vuajtur dënimin.

Marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet e Danimarkës dhe të Kosovës.

Nga kjo marrëveshje ndërkombëtare Kosova për 10 vjet pritet të përiftojë 60 milionë euro investime në energji të ripërtritshme dhe 150 milionë euro për nevojat tjera të vendit.

ExpressAktiv

GazetaExpress