Mediave iu kërkohet të zhvendosen në mënyrë që të vazhdojë largimi i kamionëve në Rudarë

Personat të cilët janë angazhuar për të larguar makineritë e rënda që kanë bllokuar rrugën në Rudarë të Zveçanit, kanë kërkuar nga mediat që të zhvendosen nga afërsia e barrikadave në mënyrë që të vazhdojë largimi i tyre.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Rudarë ka treguar se personat e angazhuar në largimin e barrikadave kanë ‘kushtëzuar’ heqjen e barrikadave me zhvendosjen e gazetarëve në një pozicion tjetër. Ata iu kanë thënë që nëse nuk largohen, nuk do të mund të procedojnë me largimin e makinerive.

Sot ka filluar largimi i kamionëve të vendosur në Rudarë të Zveçanit. Largimi i tyre po bëhet gati tri javë pas vendosjes së tyre.

Persona të maskuar janë parë duke u angazhuar në largimin e barrikadave.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryet vepra penale terroriste.

Pantiq fillimisht u dërgua në paraburgim nën dyshimin se i njëjti më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore. Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Më 28 dhjetor, me kërkesë të Prokurorisë, Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me atë të masës së arrestit shtëpiak.

ExpressAktiv

KALLXO.com