Fatlum Kryeziu, gati dy vjet, ka kërkuar punë në Kosovë, por pa sukses.

I diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Dega Sociologji, ai thotë se problem nuk e ka kualifikimin, por paragjykimet dhe diskriminimin.

Fatlumi është 27 vjeç dhe vjen nga komuniteti rom i Prizrenit.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me të edhe para një viti, kur ishte në kërkim të një vendi të punës dhe situata e tij gati se nuk ka ndryshuar.

I gjendur përballë vështirësive, Fatlumi ka vendosur t’i rrisë aftësitë e tij profesionale.

Vitin e kaluar, ai ka aplikuar për një bursë në programin “Roma Graduate Preparaton Program”, në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest dhe Vjenë.

Ai e ka fituar bursën dhe aktualisht studion midis këtyre dy kryeqyteteve evropiane.

“Po i zhvilloj studimet në fushën e Sociologjisë dhe Antropologjisë Sociale. Është një program specifik, i cili ka për qëllim avancimin e pozitës së edukimit në nivelin e arsimit të lartë, respektivisht të akademikëve romë në Evropë dhe më gjerë”, thotë Kryeziu.

Mbi 90 për qind të papunë

Përveç pjesëtarëve të komunitetit rom që përballen me vështirësi të punësimit në Kosovë, të njëjtin hall e kanë edhe dy komunitetet tjera: egjiptian dhe ashkali.

Mbi 90 për qind e tyre janë të papunë, sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Sipas një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të vitit 2020, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mbështeten në të ardhurat e krijuara nga aktiviteti ekonomik joformal, ose nga punësimi sezonal.

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, sipas organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk arrijnë të punësohen as në vendet ku iu takon me ligj.

Në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror në Kosovë, sipas Ligjit për shërbimin civil, minimum 10 për qind e posteve duhet të rezervohen për personat që u përkasin komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe që përmbushin kriteret specifike të punësimit.

Këto komunitete përfshijnë: serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe goranët.

Muhamet Arifi, drejtor në organizatën “Balkan Sunflowers”, e cila avokon për të drejtat e njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj shkon në favor të komunitetit serb dhe atij turk – dy komunitetet më të mëdha joshumicë – ndërsa komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian diskriminohen.

“Persona të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të punësuar në sektorin publik, janë shumë pak, numërohen në gishtërinj. Punësimi është sfidë për këto komunitete”, thotë Arifi.

Sipas tij, niveli i ulët i shkollimit, i cili në të kaluarën është cilësuar si problem për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike, tani nuk qëndron.

“Nëse para 10 vjetësh ka qenë e vështirë të gjenden persona të këtyre komuniteteve me shkollim të lartë, sot kemi mbi 100 persona me diploma bachelor dhe me dhjetëra persona që i kanë të kryera studimet master”, thotë Arifi.

Me Kushtetutën e Kosovës, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian njihen si të veçanta në Kosovë dhe gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8,824 romë, 15,436 ashkalinj dhe 11,524 egjiptianë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna për nivelin e edukimit të këtyre komuniteteve.

Ky institucion ka të dhëna vetëm për numrin e nxënësve romë në arsimin e mesëm të lartë, në vitin shkollor 2020/2021, që ka qenë 170.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, të lëshuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021, gjendja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend është cilësuar si e rëndë.

“Anëtarët e këtyre komuniteteve përballen me qasje të kufizuar në ujë të pastër dhe kanalizime, pajisje mbrojtëse dhe kujdes shëndetësor, ndërsa qasja në arsim dhe punësim formal mbetet e vështirë”, është thënë në raport.

Shqetësime për këto komunitete ka ngritur këtë javë edhe organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, me seli në SHBA.

Në raportin e publikuar më 13 janar, Human Rights Watch ka thënë se “diskriminimi ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet problem”.

Dy komunitetet tjera në Kosovë, serbët dhe turqit, duket se qëndrojnë më mirë në Kosovë në aspektin e punësimit.

Sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve, niveli i papunësisë midis tyre është mbi 40 për qind, porse krahasuar me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian është më i ulët.

Numri i saktë i qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë nuk dihet, sepse ata e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë, të organizuar nga autoritetet kosovare, në vitin 2011. Por, sipas disa vlerësimeve të autoriteteve lokale, vetëm në komunat në veri të Kosovës jetojnë rreth 70 mijë qytetarë serbë.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, numri i qytetarëve turq në Kosovë është 18,738.

Fatlum Kryeziu thotë se pavarësisht diskriminimit dhe vështirësive që ka, ai do të vazhdojë të ndjekë ëndrrën e tij.

“Do të mundohem të jap më të mirën nga vetja ime. Për mua, hapësirat akademike dhe mësimdhënia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një ëndërr e fuqishme. Do të doja shumë të arrij stadin e zhvillimit tim akademik në nivelin që ta realizoj këtë ëndërr në një të ardhme të afërt”, thotë Fatlumi.

ExpressAktiv

GazetaExpress