Home Lajme MASAT E QEVERISË PËR PARANDALIMIN E LUFTIMIN E PANDEMISË NGA NESËR

MASAT E QEVERISË PËR PARANDALIMIN E LUFTIMIN E PANDEMISË NGA NESËR

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

 

Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike,. Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2020 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022.  (Bashkëngjitur gjeni masat e aprovuara me këtë vendim)

Në këtë mbledhje u themelua Këshilli Organizativ për shënimin e 14 (katërmbëdhjetë) vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me këtë përbërje:

1.       Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesuese;

2.       Përfaqësues, Ministria e Mbrojtjes, anëtar;

3.       Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

4.       Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar dhe

5.       Përfaqësues  i Zyrës së Kryeministrit, anëtar.

 

Në përbërje të Këshillit ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe:

1.       Përfaqësues, Zyra e Presidentes, anëtar;

2.       Përfaqësues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;

3.       Përfaqësues, Komuna e Prishtinës, anëtar;

4.       Kryetarët e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar;

5.       Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar dhe

6.       Përfaqësues të OJQ-ve.

Në bazë të vendimeve të Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Qeveria i ka rishqyrtuar duke i plotësuar proceduralisht dhe kështu rikonfirmuar vendimet me Nr. 34/39 të datës 13.10.2021 dhe 11/44 të datës 21.11.2021 nëpërmjet të cilave ka shfuqizuar dy vendime të qeverisë së mëparshme; atë me Nr. 13/59 të datës 21.01.2021 për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe vendimin me Nr. 16/31 të datës 21.09.2020 për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Më tej, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro (10,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

​Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare  për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit.  Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”.

V E N D I M

Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e

pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga
dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës
Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;
2.2 Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës
Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për
COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në
rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që
hyjnë në rrugë tokësore).

3. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.2
lirohen:
3.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave
kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda tre (3) orësh
përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të
nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh dhe
që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja kufitare;
3.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht
që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje
nga COVID-19;
3.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët
e fundit;
3.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të
organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit,
me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e
Kosovës brenda pesë (5) orësh;
3.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të
KFOR;
3.6 Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;
3.7 Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë
të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë
(7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;
3.8 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se
kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi. Personat e tillë
duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të administruar
jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore)
ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë
tokësore).
3.9 Personat nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare duhet të
posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
4. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e
lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të
posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në
ambientet e punës:
4.1 Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të
vaksinës Janssen kundër COVID-19;
4.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se
kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të

posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një
javë;

5. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike,
private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona
përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në
pikën 4.1 deri 4.2.
6. Punëdhënësit publik e privat, si dhe subjektet tjera obligohen që mbështetur në
nevojat dhe natyrën e punës së tyre, të identifikojnë dhe të përcaktojnë stafin
esencial, si dhe të organizojnë punën vetëm me këtë staf.
7. Punëdhënësit publik dhe privat, si dhe subjektet tjera udhëzohen të krijojnë
kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë
staf esencial, sipas nevojave të punëdhënësit.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
8. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë
dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të
objektit si dhe në ambientet e brendshme.
9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo
objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga
COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska,
respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim
sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.
10. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që
të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha
rastet, përveç:
11.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë
ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2 Gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike;
11.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

12. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
13. Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të
caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në
pikën 12 dhe posedimin e dëshmive sipas pikës 4.1 dhe 4.2.

D. [Kufizimi i qarkullimit]
14. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00,
përveç:
14.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të
barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur
dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
14.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që
kryejnë punë apo shërbime publike;
14.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë
funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e
mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë
nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës;
14.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit
të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes
aeroplanit;
14.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që
lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të
Brendshme, sipas pikës 16, për shkak të domosdoshmërisë së
qarkullimit gjatë orës policore.

15. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen
kufizimit nga pika 14 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e
tyre.
16. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të
lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për
domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.
Dh. [Institucionet e arsimit]
17. Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor
zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK të
datës 20.01.2022..
18. Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të
gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me
Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e
pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin
për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga
gjendja në institucion dhe në klasa.
19. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në
institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, mund të zhvillohet me prani fizike
me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të
hapësirës.
20. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të
posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.

21. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë
ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet
hyrja në objektin e institucionit.
22. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit,
duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të
posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të
ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
23. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas
pikës 20, 21 dhe 22, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë
persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e
cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu
ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet
grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë
përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga
paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me
ligjet përkatëse.

F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
26. Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në
ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje,
seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Përveç atyre nën moshën 12 vjeçare,
obligohen pjesëmarrësit që të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në
pikën 26.1 dhe pikën 26.2 në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si
dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej një (1) metër në mes të
personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse si:

26.1 Certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza ose një dozë të
vaksinës Janssen kundër COVID-19;
26.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës
përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga
vaksinimi, duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19,
jo më të vjetër se 48 orë;

27. Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave,
duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej një (1) metër në mes
të personave.

28. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë
leje të veçantë, që tejkalon numrin prej tridhjetë (30) persona, për ngjarje të
rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
29. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore, në ambiente të jashtme deri në
pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e
distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të
evidentuar në pikat 26.1 ose 26.2 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.
30. Pavarësisht pikës 28 dhe 29, për koncerte dhe festivale me publik në këmbë
vlejnë ndalesat e përcaktuara në pikën 34.
31. Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në 50% të
kapacitetit shfrytëzues me kusht që posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas
pikës 26.1 ose 26.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura, në
përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.

32. Ndalohet mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë.
33. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që
pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej një (1) metër nga njëri-tjetri.
G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
34. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe
organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave,
fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së
Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
35. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe
stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 26.1
ose 26.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në
përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
36. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona
përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në
pikën 26.1 ose 26.2.
37. Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit
të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%)
e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi
dhe pijet.
38. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin
kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

39. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve
të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

39.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:
39.2 Ndërsa paguan porosinë;
39.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;
39.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

40. Në rastet nga pika 39.1 deri 39.4 është e obliguar bartja e maskës.
41. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri
në orën 21:00.
42. Muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30.
43. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në
tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
44. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në
distancë së paku një (1) metër.
45. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se
tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej
pesë (5) persona në 10 m2.
46. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak.
47. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60%
alkool.
48. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 21:00, pas
pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK) dhe masa rigoroze të higjienës
për veturën, porositë dhe personelin.
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomik]
49. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
50. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë
me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal
në të njëjtën kohë sipas rregullit – një (1) person për 8 m2

. Këta operatorë
obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të
njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
51. Klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë
e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç
atyre nën moshën 12 vjeçare.
52. Subjekti që menaxhon me qendrën tregtare është i obliguar të caktojë një apo më
shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga

dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2. dhe atë në secilën hyrje të qendrës
tregtare.

I. [Puna me palë]
53. Në institucionet publike, private dhe subjekte tjera, punonjësit/personeli i cili ka
punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos
u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.),
duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në
mënyrë që t’ju lejohet hyrja në vendin e punës. Obligohet të caktohet një apo më
shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga
dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2. Inkurajohet pranimi i pagesave në
formë elektronike, në vend të keshit.
54. Personi përgjegjës i institucionit publik, privat apo i subjekteve tjera, obligohet që
të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit,
përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të
personave.
J. [Transporti publik dhe ndërkombëtar]
55. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.
56. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke
shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.
57. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
58. Stafi dhe pasagjerët e transportit publik duhet të posedojnë ndonjërën nga
dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’u lejohet veprimtaria,
respektivisht udhëtimi në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar, përveç
atyre nën moshën 12 vjeçare.
59. Secili operator është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës në
çdo mjet të transportit publik, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e
ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.

K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
60. Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me
grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave,
lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të

objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet
mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave.
61. Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 60, duhet të posedojnë ndonjërën nga
dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt,
përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
62. Në veprimtaritë sipas pikës 60, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë
persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e
cekura në pikën 26.1 ose 26.2.

L. [Sporti dhe rekreacioni]
63. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe
rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe
me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
64. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të
nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke
respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse. Në aktivitetet garuese në
hapësira të mbyllura dhe të hapura nuk lejohet prania e shikuesve.
65. Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për
aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale
sportive.

LL. [Banjat termale]
66. Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga
dëshmitë e përcaktuara në pikën 26.1 ose 26.2 të këtij Vendimi, përveç atyre nën
moshën 12 vjeçare. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të
kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
M. [Tregjet dhe therja e kafshëve]
67. Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë
veprimtarinë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të
objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në
distancë fizike prej të paktën dy (2) metra.

N. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 4.1 deri
4.2]
68. Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin
e dëshmive sipas pikën 26.1 ose 26.2, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet
emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Këta persona duhet të jenë të
identifikueshëm përmes kartelës/shenjës identifikuese dhe emrat e tyre të
afishohen në hyrje të institucionit, qendrave tregtare, lokaleve të gastronomisë
dhe cilitdo biznes tjetër.
69. Prezantimi i dëshmive të përmendura në pikën 26.1 ose 26.2, bëhet në një formë
e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të
kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo
përpunojnë të dhënat që përbëhen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse
subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin
e këtyre të dhënave.

70. Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë
përmendura në pikën 26.1 ose 26.2, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë
pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk
lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për
konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për
qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
71. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të përditësojë udhëzuesit e përkohshëm, të
përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në
vijim:
71.1 Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për
parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
71.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe
bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
71.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha
niveleve;
71.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes
dhe qendra tregtare;
71.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe
aktivitete kulturore;
71.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera
rekreative dhe sportive;
71.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik dhe ndërkombëtar;
71.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
71.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
71.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit
dhe të mbajtjes për të huaj;

72. Udhëzuesit nga pika 71 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët
ndaj të cilëve zbatohen.
73. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e
këtij Vendimi.
O. [Zbatimi]
74. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në
bashkëpunim me shtabet emergjente komunale, të mbikëqyrë zbatimin e këtij
vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte
deri në orën l6:00).
75. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën
e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e
masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe
parashikimet për dy javët në vijim.

76. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për
Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së
Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike
dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
77. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin
zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të
Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e
Republikës së Kosovës.
78. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat
ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e
Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në
fuqi.
79. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e
Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë
respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi
nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
P. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 02/46]
80. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 02/46, i datës 30.11.2021.
Q. [Hyrja në fuqi]
81. Vendimi hyn në fuqi më 22 janar 2022, dhe vlenë deri më datën 4 shkurt 2022.

A r s y e t i m

Masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë provuar si
jetike për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Sipas raporteve të fundit të Institutit
Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–
19, në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Omicron është
dominues. Më datën 26 nëntor 2021, OBSh ka njoftuar për shfaqjen e variantit të ri të
quajtur Omicron si variant shqetësues ku kërkohet vigjilencë e shtuar në
mbikëqyrjen epidemiologjike si dhe zbatimin e masave si vaksinimi dhe masave jo
farmaceutike për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Më datën 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKShPK është
detektuar varianti Omicron i SARS-CoV-2 në Kosovë. Në një situatë të tillë, duke iu
referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike, klasifikimin e shkallës së
përhapjes dhe rekomandimeve të IKShPK – së, si dhe kapacitetit të sistemit
shëndetësor dhe shërbimeve shëndetësore publike, Qeveria ka ndërmarrë masa të
cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik si dhe parandalimin e shpërndarjes
së COVID-19.
Në bazë të të dhënave shkencore në dispozicion, rreziqet e përhapjes të virusit
COVID-19 zvogëlohen tek personat e vaksinuar plotësisht dhe me dozë përforcuese
që sapo kanë rezultuar negativ (RT-PCR) në COVID-19. Andaj, Qeveria ka
ndërmarrë masa kufizuese, përfshirë edhe orarin e lëvizjes me qëllim të kontrollit
dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19 në aktivitetet të cilat bashkojnë një
numër të madh njerëzish në të njëjtin vend, dhe në të cilat ruajtja e distancës fizike
është e vështirë dhe kështu paraqesin një rrezik në rritje të përhapjes të virusit. Të
dhënat e fundit shkencore tregojnë që vaksinimi është mjeti më efikas në
parandalimin e formave të rënda të sëmundjes dhe të vdekjes.
Masat e ndërmarra janë proporcionale me rreziqet shëndetësore të shkaktuara dhe të
përshtatshme me rrethanat e kohës dhe vendit, si dhe të bazuara në autorizimet e
Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në
territorin e Republikës së Kosovës. Masat e ndërmarra përmes këtij Vendimi nuk
përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se
kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë
së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi
nuk është i infektuar me COVID-19.
Vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së
intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por
duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në
mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.

Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e interesit, të
cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia. Qeveria vëren
se këto palë kanë ushtruar të drejtën e tyre për ndikim demokratik në vendimmarrje,
në përputhje me nenin 45.3 të Kushtetutës.
Masat e përcaktuara në këtë Vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata
epidemiologjike të mbahet nën kontroll por nuk përjashtojnë mundësinë e
ndërmarrjes së masave të reja kufizuese apo lehtësuese.
Prandaj, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKShPK-së, ministritë e linjës, palët
e interesit dhe ekspertët përkatës, u vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi.

ExpressAktiv

Rtk.live