Mandati i ri, “ultimatumi” i ri i SBASHK-ut për Qeverinë: Jasharaj zbulon skenarin për bllokimin e arsimit, fillojmë me një orë, dy orë dhe grevë e përgjithshme
Tetë deri me 20 prill janë ultimatumet e fundit që Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës i ka dhënë Qeverisë së Kosovës, për plotësimin e kërkesave të tyre, përndryshe Rrahman Jasharaj ka ‘zbuluar’ një skenar të ‘tmerrshëm’ për bllokimin e sistemit të arsimit që nga çerdhet e deri te Universitetet.
Më 2 prill kur është mbajtur Kongresi i SBASHK-ut, aty kanë nxjerr një vendim rezolute më të cilin parashihet çdo skenar për protesta e greva.
Por, para se SBASHK të nis veprimet sindikale radikale, Jasharaj ka rrëfyer se kanë pasur një takim paralajmërues me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci e ku sipas tij, ia kanë bërë të ditura veprimet e Sindikatës.
“Javën e kaluar kemi pasur një takim me znj. Nagavci, ia kemi bërë me dije se nëse gjërat ecin kështu siç janë, i tërë sistemi nga çerdhet deri në universitete do të kemi veprime sindikale duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme….”, ka thënë Jasharaj.
Sipas tij, pas tre ditësh (8 prill), do të ketë një protestë të SBASHK-ut si paralajmërim për Qeverinë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre , 20 prilli do ta gjej sistemin e arsimit të bllokuar si pasojë e grevave të përgjithshme.
“Kemi një vendim në Kongres që më 8 prill të protestojmë fillimisht, më pas do t’i japim kohë sërish Qeverisë deri me 20 prill që të reflektoj dhe pas 20 prillit do të nisim grevën e përgjithshme”, ka thënë kryetari i SBASHK.
Ai ka zbuluar edhe skenarin e grevës së përgjithshme pas 20 prillit.
“Fillimisht do të jetë kështu – Ditën e parë pas 20 prilli në sistemin arsimor do të ketë 1 orë grevë, ditën e dytë dy orë dhe më pas do të ketë grevë të përgjithshme duke nisur nga çerdhet e deri te universitetet”, ka rrëfyer ai.
Sipas drejtuesve të SBASHK-ut, greva e përgjithshme do të zgjas deri në plotësimin e kërkesave ‘modeste’ siç i ka quajtur Jasharaj, e që orët e humbura të procesit mësimor nuk do të kompensohen.
Por grevës së përgjithshme Jasharaj ka thënë se do t`i bashkëngjiten edhe disa institucione kulturore.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Kosovës, Teatri Kombëtare kanë paralajmëruar se do të na bashkohen meqë edhe ata kanë të njëjtat kërkesa”, ka thënë ai.
Kryetari i porsazgjedhur i SBASHK-ut edhe për një mandat katër vjeçar, ka thënë se për ta evituar këtë situatë deri në miratimin dhe jetësimi ne ligjit të ri të pagave , Qeveria duhet të ndaj nga 100 euro për punonjësit arsimor.
“Ligji për pagat është goxha kompleks dhe ju po i shihni ngritjen e çmimeve elementare prandaj deri në aprovimin dhe zbatimi e ligjit të ri të pagave qeveria të ndaj nga 100 euro për të punësuarit në arsim”, ka thënë ai.
Ndryshe dje gjatë një paraqitje para mediave ministrja e Arsimit Arbëri Nagavci sërish i ka bërë thirrje drejtuesve të SBASHK që mos të nisin protesta e greva, duke kërkuar që të ketë një dialog social Qeveri –MASHT- SBASHK.
ExpressAktiv

Veriu.info