Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Krahas interpelancës me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, do të diskutohet edhe për gjendjen në shëndetësi.
Kështu deklaroi shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
““Ne presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse deri të enjten nuk ekzekutohen pagat do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit në Prokurorinë Speciale”, tha ai.
Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, Tahiri tha se e shikon të panevojshëm formimin e Komitetit për Shëndetësi.
Këtë Komitet e drejton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Është hera e parë që një Komitet i tillë drejtohet nga kryeministri dhe realisht nuk kemi nevojë me debatuar për këtë çështje”, tha Tahiri, sipas të cilit, kërkesa më të mëdha për ta lëshuar vendin, nuk ka pasur.
“Jemi në një situatë që ka largim të mjekëve nga QKUK-ja jashtë vendit”.
Kusari-Lila: Me Ligjin për Grevat, kush nuk ka punuar nuk paguhet
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila deklaroi pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës se Ligji për Grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.
Kusari-Lila tha se është përgjegjësi e agjencive buxhetore që të bëhet ose jo ekzekutimi.
Shefja e GP të LVV-së u shpreh se institucionet janë në pritje të azhurnimit të listave të punonjësve të cilët kanë qenë në grevë, e kjo sipas saj, duhet të bëhet nga organizatat buxhetore.
“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo mos kompensimin për ata që janë pjesë në grevë”, tha Kusari-Lila, sipas së cilës, ky ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencive buxhetore.
“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.
Ajo u shpreh se është përgjegjësi e agjencive buxhetore në këtë rast që të bëjnë azhurnimin e listës.
Vendos kryesia e Kuvendit, ministri i Financave të enjten në interpelancë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten në seancën e Kuvendit, të thirret në interpelancë, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të jetë në interpelancë në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.
Kështu ka vendosur sot kryesia e Kuvendit në mbledhjen e rregullt.
“Është vendosur për interpelancën për ministrin e Financave, Hekuran Murati, që ndërlidhet me vendimin e tij arbitrar për ndalimin e pagave dhe po ashtu për ndërhyrjen në autonominë e komunave në listën e pagave”, tha Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas mbledhjes së kryesisë, ai tha se një veprim të tillë, ku grevistëve u ndalen pagat, është absurditet.
“Ajo që po ashtu dua të them ka të bëjë me Ligjin e miratuar në qeveri për Zyrtarët Publikë. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje flagrante në stafin dhe shërbyesit civilë përmes cenimit të kontratave të tyre”, deklaroi Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së kritikoi sic tha ai- “ndërhyrjen flagrante të Qeverisë dhe cenimin e kontratave të punës së shërbyesve civilë”.
Kryesia e Kuvendit vendos sot për interpelancën e ministrit Murati
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhje. Ajo do të fillojë në orën 10:00 e ku pritet të vendoset për temat dhe seancën e radhës.
Mes tyre, është e ajo për interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”,
Gjithashtu, pika të tjera që do të diskutohen janë edhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 si dhe tema të tjera.
ExpressAktiv
rtk.live