Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore-historike të një vendi, sikurse është e njohur botërisht, është shkelje e ligjit ndërkombëtar të luftës dhe mund të ndiqet penalisht si krim lufte. Sipas Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, këto krime përfshijnë pushtimin, shkatërrimin dhe dëmtimin e qëllimshëm të institucioneve të natyrës fetare, arsimore, shkencore, të monumenteve historike dhe të veprave të artit. Krime të tilla, sikurse do të shihet në vazhdim të kumtesës sonë, kanë ndodhur edhe gjatë luftës së viteve 1998-1999, në Kosovë, ku përmes aksioneve ushtarake serbe, janë shkatërruar një numër i madh i objekteve me vlera kulturo-historike. Ky shkatërrim i trashëgimisë kulturore të Kosovës, së bashku me shkatërrimin e komponentëve të tjerë më të vlefshëm të identitetit të Kosovës, – dhe kjo duhet theksuar që në fillim, – ka qenë i planifikuar dhe i organizuar në mënyrë sistematike. Gjatë agresionit serb kundër Kosovës, u sulmuan, u shkatërruan dhe u plaçkitën veçanërisht qendrat urbane (Prishtina, Gjakova, Peja, Mitrovica, etj.), dhe institucionet e trashëgimisë kulturore në këto qytete, por nuk u kursyen aspak edhe vendbanimet rurale dhe infrastruktura e tyre, së bashku me objektet fetare e kulturore. Dëmet e shkaktuara të trashëgimisë kulturor historike nuk do të mund të hetohen asnjëherë plotësisht dhe nuk do të mund të paraqiten realisht, aq më pak kur nga ajo kohë tashmë ka kaluar gati një çerek shekulli. Dhe jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shkak se në Kosovë, duke u shkelur të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare që mbrojnë trashëgiminë kulturore, është zhvilluar një metodë sistematike dhe e vazhdueshme e shkatërrimit të monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës e cila ka filluar që herët, pra edhe para vitit 1998 dhe jo vetëm ndaj Kosovës. Skenarë të tillë, Serbia ka zbatuar për më shumë se një shekulli ndaj fqinjëve të saj, pra edhe ndaj shqiptarëve dhe vlerave të tyre qytetëruese. Ky manifestim i shkatërrimit sistematik nuk mund të quhet ndryshe veç se kulturocid. E, kulturocidi i qëllimshëm ndaj një populli a vendi, s’është gjë tjetër, veçse një nga tiparet e gjenocidit, me të cilin synohet shkatërrimi i trashëgimisë autoktone të një populli me qëllim të humbjes së identitetit të tij kulturor e etnik dhe të humbjes së kujtesës kolektive. Prandaj dhe kulturocidi shpeshherë njihet dhe përdorët në literaturë edhe si “gjenocid kulturor”. Gjenocidi ndërkaq, nuk nënkupton domosdoshmërisht shkatërrimin e menjëhershëm të një kombi. Porse ai nënkupton një plan të koordinuar veprimesh të ndryshme që synojnë shkatërrimin e themeleve kryesore të jetës së grupeve etnike, me qëllim të asgjësimit të vetë atyre grupeve. Objektivat e një plani të tillë prandaj janë shpërbërja e institucioneve politike dhe sociale, e institucioneve të kulturës, të gjuhës, të ndjenjave kombëtare, të fesë dhe të ekzistencës ekonomike të një grupi etnik, si dhe shkatërrimi i sigurisë personale, i lirisë, i shëndetit, i dinjitetit, e madje edhe i jetës së individit që i përket një grupi të tillë. Mbështetur mbi këtë fakt, avokati polak, z. Raphael Lemkin, i cili njëherësh është edhe iniciues i Konventës së Gjenocidit për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, thekson se një gjenocidi i paraprijnë gjithmonë “sulmet ndaj kulturës”, dhe për këtë ai e citon edhe thënien e famshme të poetit gjerman të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Heinrich Heine, se agresorët: “Kur të fillojnë të djegin libra, së shpejti do të fillojnë të djegin edhe njerëz!”. Kjo thënie e Hainrich Heine-së, paraqet në tërësi rastin e Kosovës. Mirëpo, përtej kësaj, duhet shtuar se Serbia në Kosovë për gjatë një shekulli, para se të digjte libra dhe më pastaj të vriste edhe shqiptarët, ajo ka torturuar, ka dënuar, ka burgosur e ka vrarë ata që i kanë shkruar librat, ata që i kanë lexuar librat, ata që i kanë mësuar librat. Pushteti serb historikisht i ka penguar gjuha e librave të shqiptarëve, prandaj dhe në dekadën e fundit të shekullit të kaluar atyre (pra shqiptarëve) ua ka mbyllur shkollat dhe fakultetet, kurse librin shqip e ka shpallur të ndaluar. Dhe jo vetëm kaq, por pushteti serb edhe i ka helmuar në mënyrë masive mijëra nxënës shqiptarë (kujtojmë këtu pranverën e vitit 1990, kur u helmuan mbi 7000 nxënës, një krim ky që kurrë nuk u dënua), kurse studentët shqiptarë edhe i ka vrarë. Në vitet 1998-1999 ndërkaq, duke u mbështetur në të dhënat e organizatës ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch” dhe burimeve të tjera ndërkombëtare, thuhet se regjimi i Sllobodan Millosheviqit, vrau mbi 12,000 shqiptarë, prej tyre 1024 fëmijë, afro 20,000 gra shqiptare u përdhunuan, mijëra burra u arrestuan dhe u zhdukën në burgjet serbe, mbi një milion shqiptarë u larguan me dhunë nga Kosova, si pjesë e strategjisë dhe planit të forcave policore dhe ushtarake serbe, i njohur ndryshe si plani “Patkoi”. Nga kjo luftë, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të zbulohen varre masive të shqiptarëve të vrarë, kurse 1647 persona të tjerë, prej tyre 109 fëmijë, konsiderohen të zhdukur dhe nuk kanë një varrë për t’i kujtuar. Ndërsa gjenocidi kulturor i shkaktuar nga Serbia, i theksuar veçanërisht dhe në mënyrë intensive përgjatë viteve 1998-1999, ndër të tjerash, plaçkiti, dëmtoi e shkatërroi: – Objektet kulturore (shtëpitë e vjetra të banimit, kullat, etj.) – Monumentet kulturore (Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shtëpia e Lidhjes së Shkrimtarëve, etj.) – Institucionet arsimore (shkollat fillore, shkollat e mesme) – Institucionet shkencore (Institutin Albanologjik, etj.)
– Institucionet kulturore (bibliotekat, teatrot, galeritë, arkivat, muzetë, shtëpitë botuese, etj.) – Institucionet dhe shoqëritë sportive– Institucionet dhe objektet fetare (xhamitë, teqetë, mesxhidet, etj.) Me një fjalë, në Kosovë kanë mbetur pak objekte kulturore, të cilat nuk u plaçkitën, nuk u dëmtuan e nuk u shkatërruan nga pushtuesi serb në luftën e fundit. Duke u mbështetur në disa burime të publikuara rreth numrit të dëmeve të shkaktuara në objekte (ndonëse jo të plota), thuhet se “okupatori serb, në Kosovë dogji e shkatërroi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, ambulanca, biblioteka, objekte fetare, etj. Gjatë djegies së një numri të konsiderueshëm të shtëpive dhe pronave private (shpeshherë me to janë djegur edhe civil të pafajshëm, gra shtatzëna, fëmijë të vegjël, pleq e plaka, persona me aftësi të kufizuar, etj.), nuk u kursyen dhe u dëgjon edhe objektet e rëndësishme kulturore, të cilat zinin një vend me vlera për shtetin e Kosovës në përgjithësi dhe trashëgiminë kulturore në veçanti. Sipas studiuesit të njohur Andrásh Riedlmayer, deri në fund të luftës në Kosovë më 1999, 65 nga 183 bibliotekat publike të Kosovës, ishin shkatërruar plotësisht, kurse humbjet e fondit bibliotekar, po sipas të njëjtit autor, janë 900,588 vëllime. Kurse sipas autorëve (Fredericksen & Bakken, 2000), në Kosovë janë shkatërruar më shumë se një e treta e bibliotekave shkollore. Gjatë tërheqjes së saj nga Kosova, ushtria dhe paramilitarët serbë kanë djegur edhe selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me gjithë arkivin dhe bibliotekën e saj. Kur këtyre t’ua shtojmë edhe djegiet e bibliotekave private që sipas të dhënave tona të grumbulluara nga literatura, del të jenë djegur 175 biblioteka me një fond librar prej 1.7 milionë njësi, atëherë s’ke se si të mos e thuash se vetëm me djegien e bibliotekave dhe librave të tyre, Serbia ka kryer gjenocid kulturor në Kosovë. Por Serbia, krahas djegies dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ajo ka kryer edhe grabitje të shumta të kësaj trashëgimie. Nga kjo grabitje nuk shpëtoi as lënda arkivore që ruhej nëpër arkivat tona private dhe institucionale. Vetëm nga Arkivi i Kosovës u plaçkiten dhe u grabitën hajnisht për të mos u kthyer kurrë disa fonde arkivore. Në vitin 1999 serbët grabitën edhe artefaktet dhe eksponatet etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Kosovës, të cilat i kanë dërguar në Serbi ku mbahen edhe sot e kësaj dite pa asnjë bazë juridike. Ndonëse çështja e tyre ka qenë pjesë e Marrëveshjes së planit të diplomatit finlandez, z. Martti Ahtisari që në vitin 2007, megjithatë kthimi i tyre nuk ka ndodhur as sot. Agresioni serb në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, sikurse u tha, nuk kurseu as institucionet dhe objektet e kultit. Vetëm xhami janë demoluar, dëmtuar djegur e shkatërruar, 218 sosh, shumica prej tyre monumente të trashëgimisë sonë shekullore, pa përmendur këtu edhe mesxhidet dhe teqetë, dhe qindra objekte të tjera me vlera kulturore-historike të paçmuara, të cilat nuk do t’i kemi kurrë më, sepse, kanë shkuar në pakthim. Si përfundim, mund të themi se ndonëse nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë kanë kaluar 23 vjet, megjithatë për ta dëshmuar shkatërrimin e qëllimshëm dhe sistematik të trashëgimisë sonë kulturore nga Serbia, pra për ta dëshmuar gjenocidin kulturor serb në Kosovë, nuk jemi treguar të vëmendshëm, qoftë me mbledhjen e fakteve e dëshmive, qoftë edhe me publikimin e tyre. Sikundër që nuk kemi arritur ta dëshmojmë as kulturocidin dhe urbicidin që Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve për dekada e shekuj të tërë, gjithandej trojeve shqiptare. Ky punim është prezantuar në konferencën shkencore, “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX”, që u mbajt më 7 dhe 8 prill 2022, në Prishtinë. Sadik Mehmeti është doktor i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Është autor i disa monografive e punimeve shkencore të botuara në revistat shkencore, brenda dhe jashtë Kosovës. Valon Shkodra ka mbaruar studimet universitare për etnologji. Punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Etnologjisë, si hulumtues i pavarur shkencor. Ka të botuar disa monografi dhe ka marrë pjesë në konferenca e aktivitete kulturore në Kosovë dhe jashtë saj.

ExpressAktiv

Kallxo.com