Një problem teknik ose një gabim njerëzor, këto janë 2 versionet që jep kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski lidhur me shkakun e aksidentit tragjik të ndodhur në Bullgari të martën ku humbën jetën 46 persona, pjesa më e madhe shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

‘Në vendngjarje kam parë tuba, por nuk janë djegur”, ka thënë ai. “Spekulohet se incidenti është shkaktuar nga ndezja e tubave të naftës rezervë”, shtoi kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut për BTV-në, shkruan abcnews.al.

Nga raportimet e fundit është thënë se në autobusin e “Besa Transit” ka mundësi të jetë transportuar lëndë djegëse nga e cila ka rënë zjarri në pjesën e përparme të automjetit. Por kjo pistë për kryeprokurorin nuk qëndron.

Ai përsëriti se asnjë hetim paralel për incidentin nuk do të kryhet në Maqedoninë e veriut. Joveski u shpreh se ka besim të plotë në profesionalizmin e kolegëve të tij bullgarë.

“Do të presim rezultatet dhe pastaj prokuroria e Maqedonisë së Veriut do të vendosë se çfarë do të bëjë më pas”, tha Joveski.

Sipas të dhënave të tyre, autobusi ishte pothuajse i ri dhe me kontroll të rregullt teknik. Megjithatë Joveski nënvizon se në përfundim të hetimve do të tregohen shkaqet e sakta.

Nga aksidenti kanë mbijetuar 7 persona, të cilët janë në spitalin Pirogov në Bullgari. Mediet e huaja duke iu referuar burimeve nga spitali shkruajnë se ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga tronditja e asaj që ndodhi, ata morën mbështetje të specializuar psikologjike. Dy nga viktimat janë operuar dje. Të vendosur në terapi intensive sot janë transferuar në repartin e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike. Njëri prej tyre do të operohet sot.

Rreth gjysmë ore para aksidentit të tragjik, pasagjerët dhe shoferët e autobusit janë ndalur në pikën e karburantit ku kanë pasur pushim prej 15 minutash dhe për këtë arsye hidhen poshtë teoritë se shoferi i autobusit ka qenë në gjumë.

Me të mbërritur në vendin fatal në autostradë, dyshohet se shoferi ka dalë nga korsia dhe është përplasur në anën e djathtë të parmakëve. Pastaj goma e përparme ka shpërthyer dhe autobusi ka marrë drejtim në të majtë.

Ka goditur parmakun e mesëm dhe ka lëvizur edhe disa metra në mesin e autostradës, pastaj ka ndaluar dhe në pjesën e përparme të autobusit ka shpërthyer zjarr që është përhapur me shpejtësi dhe të madhe që përfshiu të gjithë autobusin. be.k/abcnews.al

ExpressAktiv

GazetaExpress