Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka folur për relacionin e shqiptarëve me fenë përgjatë historisë.

Në këtë kontekst, Krasniqi tha se shqiptarët duke qenë një nga popujt më të vjetër të Evropës kontaktet e para me besimet fetare i kanë shumë të hershme.

“Populli ynë duke qenë një nga popujt më të vjetër të Evropës dhe të Ballkanit gjë për të cilën ka konsensus tek shumica e historianëve seriozë, atëherë sigurisht se kontaktet me besimet fetare i ka shumë të hershme. E para politeizmi antik grek i ka pasur sigurisht ndikimet tek ilirët dhe ka shumë fakte edhe për besimet e adaptuara politeiste që i kanë pasur ilirët, mandej në periudhën e krishterimit Pali thotë se e kam përhapur lajmin e gëzueshëm deri në ilirik, a ka hy në ilirik a nuk ka hy, por deri në ilirik po, që do të thotë në shekullin e parë të krishterimit ilirët kanë qenë në kontaktet e para me krishterimin” tha Krasniqi në Rubikon, në Klan Kosova.

Krasniqi tha se kalimi masiv i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së sotme në islam ka qenë reagim ndaj terrorit që Kisha Ortodokse Serbe ka ushtruar ndaj tyre.

“Krishterimi e ka historinë e vetë. Për shembull që deri në Ediktin e Milanos në vitin 313 ka qenë fe e ndaluar dhe të krishterët kanë qenë kategoria më e persekutuar e njerëzve në atë periudhë prej Neronit dhe prej Deoklicianit e të tjerëve, kështu që mbas Ediktit të Milanos vjen Koncili i Nikesë në vitin 325 kur legalizohet krishterimi dhe bëhet fe zyrtare e Perandorisë Romake të lindjes. Dhe pastaj fillon edhe jeta e ilirëve që kanë qenë pjesë e asaj perandorie. Në vitin 1054 ndahet kisha në dy kisha të mëdha”.

“Kjo ka pasur reperkusione të mëdha për ilirët ose arbërorët më vonë, sepse vija e ndarjes ka rënë nëpër territoret e tyre dhe në fakt shumica e historianëve thonë që pjesa më e madhe e ilirëve ka rënë nën sundimin e Bizantit dhe kishës lindore. Ashtu që kjo është pastaj një histori e gjatë e sundimit të kishës bizantine, pastaj kishës bullgare, nja dy shekuj prej vitit 850, pastaj është rikthyer përsëri kisha bizantine, pastaj është fut kisha serbe ashtu që ilirët më vonë arbërorët kanë jetuar gjatë në këtë”.

“Periudha e sundimit serb pastaj është periudhë shumë morbide, sepse në zakonikun e Car Dushanit, thuhet se zakoniku bëhet për krishterimin, përkatësisht për pastrimin e krishterimit dhe pastrimi nënkupton dëbimin e katolikëve dhe bogumilëve kështu që ka qenë një përndjekje e tmerrshme e shqiptarëve që kanë qenë të besimit roman. Prandaj kjo ka qenë një periudhë e një traume shumë të madhe, sepse zakoniku i Car Dushanit kërkon që të gjithë në kishën serbe të deklarohen si serbë, pastaj ka ardhur periudha e rënies së shtetit të Dushanit dhe rënies së shtetit serb. Ardhja e osmanëve dhe kështu fillojnë kontaktet e shqiptarëve me islamin, kalimi masiv i shqiptarëve realisht masiv i shqiptarëve në islam në Kosovë dhe Maqedoninë e sotme ka qenë si reaksion ndaj largimit nga Kisha Ortodokse Serbe dhe terrori që është ushtruar brenda saj, ky është interpretimi i saktë 100 përqind”, tha Krasniqi në emisionin Rubikon.

Krasniqi shtoi se përvojat e hidhura të shqiptarëve me religjionin kanë ndikuar në krijimin e mekanizmave të tolerancës ndërfetare.

“Përvojat e tona, sepse e thash përndjekja e krishterëve në Perandorinë Romake ka qenë barbare, pastaj ilirët dhe arbrit në Perandorinë e Bizantit u është imponuar, kisha bullgare ka bërë presion për bullgarizim, pastaj kisha serbe, pra në vetëmbrojtje shqiptarët kanë krijuar mekanizma të tolerancës”.

ExpressAktiv

KlanKosova.tv