Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se do të fillojë dërgimin e ndihmave humanitare për popullin ukrainas, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndau 100 mijë euro për blerjen e kontingjentit të parë.

Dërgimin e ndihmave do ta realizojë përmes Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, e cila do të bëjë përgatitjen e pakos humanitare me produkte esenciale nga Republika e Kosovës dhe më pas me partnerët e saj ndërkombëtarë të shpërndajë këto ndihma në shtetet ku refugjatët ukrainas janë duke u strehuar.

 

Përplasja me ndërkombëtarët për zgjedhjet serbe, del letra që Kurti ia çoi…
Pakoja humanitare do të përmbajë produkte esenciale që përfshijnë higjienën dhe kujdesin personal, akomodim dhe ushqime. Blerja, paketimi vendosja e shenjave dalluese të Republikës së Kosovës dhe nisja e pakove humanitare do të bëhet brenda 20 ditëve në vijim.

Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma dhe drejtori i Shoqatës “Nënë Tereza”, Zef Shala.

Isma dhe Shala kanë theksuar se janë të kënaqur që ky proces tashmë është finalizuar dhe janë shprehur të lumtur që Republika e Kosovës do të kontribuojë sadopak në mirëqenien sociale të popullit të Ukrainës që po përballet me agresionin e Federatës Ruse.

ExpressAktiv

Gazeta Express