Një ish-polic i Kosovës nga komuniteti serb, me emrin Dejan Pantiq u arrestua me 10 dhjetor, nën akuzat për vepër terroriste. Po atë ditë, serbët që banojnë në veri të Kosovës, bllokuan rrugët, duke u “barrikaduar” me kamionë e mjete të tjera të rënda. Çka do të ndodh me ta?

Rrugët u mbyllën, liria e lëvizjes u cënua, policët e Republikës mbetën të ngujuar.

Institucionet tona thanë se kanë prova se Pantiq kreu krim, bashkësia ndërkombëtare e quajti arrestim legal, Vuçiq tha se është përndjekje e një serbi të pafajshëm.

Ata që organizuan barrikadimin, e që i ruanin ato edhe fizikisht, ishin kriminelë që po vepronin kundër rendit kushtetues të Kosovës apo protestues paqësor të Republikës?

Janë dy narracione përshkruese në lidhje me barrikaduesit dhe një Kod Penal në mes. Si do të veprojë Kosova?

Barrikadat e Wagnerit. Ata kanë armë dhe vendosin barrikada jo për të penguar kalimin e automjeteve, por për të mbrojtur atë njeri të armatosur me uniformë që do të qëllonte në automjete që do t’u afroheshin. Pra, këto janë barrikada luftarake,” – deklaroi Kurti para pak ditësh.

Tutje Kurti ka qenë eksplicit sa i përket mënyrës se si do të veprojnë institucionet karshi tyre.

Ne nuk do të bisedojmë me kriminelët në veri, por do t’i arrestojmë ata, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të republikës sonë,

Kur Kryeministri foli për kriminelët që po veprojnë kundër rendit kushtetues e cenimit të integritetit territorial, në germën e ligjit, kjo përkthehet në ndjekje penale, për vepra që janë të dënueshme së paku me 5 vjet burgim.

Kodi penal në mes

Kodi penal i Republikës së Kosovës, parasheh denim për kryerësit e këtyre veprave të paktën me pesë vjet burgim.

Gjithmonë, nëse pretendimet e kryeministrit janë të sakta.

“Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” e mban emrin neni 114 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e që i përshtatet më së shumëti në kuptimin ligjor, fjalëve të Kurtit kundër barrikaduesëve.

Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që ta ndryshojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës apo të përmbysë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës denohet me jo më pak se 5 vjet burgim.” – thuhet në paragrafin e parë.

Kurse paragrafi 2, flet edhe për kanosje e përdorim të dhunës, gjatë kryerjes së kësaj vepre:

“Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që të pengojë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës apo me përdorim të dhunës ose kanosjes së dhunës implementon rendin e huaj juridik në ndonjë pjesë të Republikës së Kosovës, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.”

Kurse veprat kundër integritetit territorial, të cilat Kurti i përmend, në asnjë rast nuk parashohin dënim më të butë se sa 10 vjet burgim.

“Kushdo që me përdorim të dhunës ose me kanosje të dhunës tenton të rrezikojë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tërësinë territoriale dhe karakterin demokratik të shtetit, dënohet jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim”

Ndërkombëtarët: Protestuesit/barrikaduesit paqësor

Krejt këtë situatë juridiko/politike mund ta përmbysë një politikë tjetër, që kapërcen kufijtë e Kosovës.

Për amerikanët e evropianët, protestuesit e barrikaduesit ishin paqësorë, rrjedhimisht arrestimi i tyre është përndjkje.

“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore.” u tha në deklaratën e përbashkët të Departamentit amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Evropian.

Tutje aty thuhet se ShBA së bashku me Bashkimin Evropian, përmes EULEX-it, do ta monitorojnë nga afër hetimin dhe procedurat pasuese, sa i përket rastit të ish policit të arrestuar Dejan Pantiq.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.”

Pra, barrikaduesit, Kurti i sheh si terrorist e kriminel, bashkësia ndërkombëtare të njejtit i konsideron si protestues paqësor, në mes të kësaj situate është një pushtet i ndarë, që quhet pushteti gjyqësor, e një libër me anë të së cilit funksionon, e që quhet Kod Penal.

Si do të veprojë Kosova, a do të arrestohen barrikaduesit? Këtë përgjigjje mbase nuk e di askush. Por ajo që dihet është se edhe më parë kur pati barrikada, nuk u arrestua askush.

ExpressAktiv

mitropol.net