Haradinaj për arrestimin e Molliqajt: Çështja e arrestimit është pak e çuditshme, kauza e protestës ishte e drejtë

Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj sonte nga Policia e Kosovës pak para futjes në studio të emisionit Pressing.

Ai në Prime të RTK-së ka thënë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit, mendoj se nuk kanë mund ta arrestojnë, por kanë mund ta dërgojnë një ftesë. Çështja e arrestimit është pak e çuditshme për mua. Kauza e protestës ishte mjaft e drejtë për rritjen e shtrenjtimit të rrymë”, tha Haradinaj.

Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga dita kur u mbajt protesta e PSD’së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike. Ai gjithsesi dje mbajti një konferencë për media.

Kujtojmë që sot, Policia ka arrestuar aktivistin e PSD-së, Adem Megjuani, për arsyen e njëjtë, sulm ndaj një zyrtari policor, gjatë asaj proteste.

Megjuani është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të tij.

ExpressAktiv

GazetaExpress