Ibe Linda Halili, psikologe, ka thënë se pas aksidentit duhet përmbajtur nga gjykimet derisa të dalin rezultatet përfundimtare të hetimeve.

Ajo foli edhe për pasojat që vuajnë ata që aksidentohen në trafik apo ata që bëhen dëshmitarë të aksidenteve me fatalitet, njofton Klan Kosova.

“Thuajse të gjithë personat që pësojnë aksidente trafiku që janë të mbijetuar apo dëshmitarë të aksidenteve me fatalitet kanë të ngjarë të zhvillojnë stres post-traumatik, ndërsa të gjithë e pësojnë çrregullimin e përshtatjes domethënë pas aksidentit. Personat që kanë lëndime fizike ose probleme të tjera që mund të jenë bashkëshoqëruese gjatë gjithë jetës apo edhe ato që janë të shërueshme kanë implikime të dyfishta pastaj. Problemet më të shpeshta në sferën psikologjike janë problemet me stresin akut, i cili gjeneralizohet edhe në situata tjera ku nuk jemi në trafik. Zhurmat e ndryshme kanë për tendencë që të jenë nxitës shumë të mëdhenj që personat të përjetojnë ankth që nganjëherë tejkalon edhe suazat e menaxhimit vetanak dhe duhet të kërkojnë ndihmë”.

Ajo në Rubikon ka thënë se kërkohet punë sistematike pas aksidenteve ndaj të mbijetuarve për të marrë veten nga traumat psikologjike.

“Edhe dëshmitë e para mund të mos përmbajnë elemente që iu hyjnë në punë ekspertëve. Gjithmonë duhet marrë parasysh pjesa e shokut akut që nuk kalon menjëherë”.

ExpressAktiv

KlanKosova.tv