Kati Schneeberger, austriakja që drejton organizatën “Vjena bëhet Evropë” ka nisur një peticion online ku i bëhet thirrje BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Schneeberger ka folur për Gazetën Express lidhur me arsyen që ajo e filloi peticionin, të cilin e kanë nënshkruar mbi13 mijë njerëz. Schneenberger tha se peticionin do t’ia përcjellë udhëheqësve të tri institucioneve kryesore të BE-së, Komisionin, Këshillit dhe Parlamentit si dhe ambasadorit francez në Vjenë.

Kryetarja e OJQ-së austrike tha për Express se do të ishte përfundim i drejtë i presidencës franceze të BE-së nëse e shtynë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshillin e BE-së.

Schneeberger u shpreh se institucionet e Kosovës nuk e kanë kontaktuar akoma lidhur me iniciativën e saj.

Gazeta Express: A mund të na tregoni fillimisht për punën dhe organizatën që drejtoni?

Schneeberger: Unë jam presidente e organizatës “Vjena bëhet Evropë” . Kjo është një OJQ në Vjenë në Austri. Qëllimi ynë është të rrisim ndërgjegjësimin për Evropën dhe Bashkimin Evropian. Ne mbështesim të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, nëse ato mbështesin vlerat evropiane si të Bashkuar në Diversitet, Paqe, Solidaritet, Demokraci, të Drejtat e Njeriut, Sundimin e Ligjit.

Gazeta Express: Cila është arsyeja që e nisët peticionin me kërkesën për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Schneeberger: Unë isha duke vizituar Kosovën javën e kaluar për herë të parë për të takuar pro evropianë dhe për të gjetur partnerë për OJQ-në time. Të enjten vizitova panairin EXPOKOS dhe takova shumë miq nga Shoqëria Austriake Kosovare gjatë vizitës sime në Prishtinë dhe Mitrovicë të premten dhe me të vërtetë të gjithë, nga biznesmenët te shoferët e taksive, kamerierët në restorant e deri te politikanët më pyetën për liberalizimin e vizave dhe lirinë për të udhëtuar. Unë kam lindur në Gjermaninë Lindore apo siç njihej Republika Demokratike Gjermane. E di se si është të jetosh pa lirinë për të udhëtuar. Ndryshe nga shumë politikanë në Evropën Perëndimore, unë e kuptoj dhimbjen e popullit të Kosovës. Kështu që vendosa të filloj këtë fushatë për liberalizimin e vizave gjatë vizitës sime në Kosovë.

Gazeta Express: Çfarë do të bëni më pas me këtë peticion, a do t’i drejtoheni zyrtarisht Këshillit të BE-së?

Schneeberger: Do t’ua dërgoj të gjithë Presidentëve: nga Komisioni i BE-së, Parlamenti i BE-së, Këshilli i BE-së dhe natyrisht tek Presidenti i Francës. Dëshiroj t’ia dorëzoj nënshkrimet edhe ambasadorit francez në Vjenë.

Unë do ta ndaj peticionin ditën e nesërme edhe me hisedarët tjerë evropianë që kanë të bëjnë me vendimin për liberalizim.

Gazeta Express: A mendoni se Këshilli i BE-së do ta vendosë në agjendë liberalizimin e vizave për kosovarët në takimin që do të mbahet në fund të qershorit?

Schneeberger: Shpresoj. Është zgjatur mjaft për qytetarët e Kosovës që të mund të udhëtojnë lirshëm. Për të marrë një vizë kushton shumë kohë dhe shumë para. Nuk është e sigurt se do të merrni vizë dhe për çfarë kohe. Nuk mund të planifikosh asgjë. Kjo është e papranueshme.

Gazeta Express: Franca do të kryesojë Këshillin e BE-së edhe për muajin qershor, a mendoni se do të arrihet një konsensus për liberalizimin e vizave dhe a mendoni se Franca si një nga vendet skeptike do ta shtyjë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Schneeberger: Presidenti Macron duhet të përdorë presidencën e Francës në BE për të bërë kthesën në këtë çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Do të ishte një përfundim i drejtë dhe i rëndësishëm për Presidencën franceze të BE-së.

Gazeta Express: Si e shihni izolimin e kosovarëve nga të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit edhe pasi Komisioni Evropian konfirmoi dy herë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim?

Schneeberger: Arsyet janë të pakuptueshme për mua. Bëhet fjalë për politikën e brendshme. Por çfarë lidhje kanë populli i Kosovës me politikën e brendshme të Francës? Frika e paarsyeshme duhet luftuar dhe të mos përdoret për fushata zgjedhore.

Ne kemi nevojë për një Evropë të përbashkët, të lirë. Kjo pabarazi e qytetarëve të Kosovës është diskriminuese dhe jo e denjë për një BE që qëndron mbi vlerat e saj.

Gazeta Express: A jeni kontaktuar nga qeveria e Kosovës lidhur me iniciativën tuaj?

Schneeberger: Jo deri tani.

ExpressAktiv

GazetaExpress