Banorët e Krajkovës sivjet i janë përveshur bujqësisë me të madhe. Në këtë fshat të Drenasit mund të shohësh fare pak djerrina.

Arben Haziri, që është mësimdhënës me profesion, thotë se nuk i lë anash punët e fushës. Ai tashmë ka punuar rreth tre hektarë tokë.

“I tërë fshati është mobilizuar dhe po them kështu me përgjegjësinë më të madhe, askund nuk mundesh me e gjetë një arë me 10-15 ari që është batall. Domethënë, komplet fshati i është përveshë bujqësisë”, thotë ai për Klan Kosova.

Interesimi për bujqësi në këtë fshat u shtua gjatë pandemisë, e kulmoi tash kur në treg janë rritur çmimet. Fshati po e konsideron këtë si kthesë të madhe.

“Sivjet është punuar më shumë, përpara nja 5-6 vjet e patën lanë, hiç nuk e kanë punuar”, shprehet Haxhi Podrimqaku.

Por inflacioni e ka prekur edhe këtë sektor.

“Plehu shtrenjtë, nafta shtrenjtë. Për me i mbjellë 60 ari grurë, i kam dhënë 500 kilogramë miell me i marrë plehun, farën dhe naftën për traktor”, shton Podrimqaku.

Megjithatë, krajkovasit thonë se do të vazhdojnë t’i punojnë tokat, ngase e vlerësojnë se ka edhe përfitime, por e cilësojnë edhe si patriotizëm shtimin e prodhimit vendor.

“Mbahu për toke, çohu për toke. Domethënë, një njeri që e punon tokën, gjithmonë ka rendiment”, e përshkruan këtë entuziazëm Haziri, përmes kësaj thënieje popullore.

ExpressAktiv

KlanKosova.tv