“4-5 orë, 12 vetë më kanë dhunu veç mua”, rrëfimi i trishtë i gruas që i mbijetoi dhunës seksuale gjatë luftës në ndërtesën e fakultetit të UP-së

 

Një grua nga Prishtina, ka rrëfyer për herë të parë, ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net, tmerrin që përjetoi gjatë luftës në fundit në Kosovë, kur marsin e vitit 1999 u bë viktimë e dhunës seksuale që paramilitarët serbë ushtruan ndaj grave e burrave shqiptar.

V.B. në rrëfimin e saj, fakton për herë të parë dyshimet e ngritura menjëherë pas luftës, në një raport të “Human Rights Watch” për Kosovën, ku tregohet se ndërtesa e fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së është përdorur nga paramilitarët serb për të dhunuar seksualisht gratë shqiptare në Kosovë. Dyshime këto të cilat i fakton rrëfimi i gruas V.B., në hulumtimin e gazetarit Mirlind Behluli për Gazetën Online Reporteri.net, pjesa e parë e të cilit është publikuar sot.

 

Në rrëfimin e gjatë të saj, V.B. për Gazetën Online Reporteri.net, përshkruan orët më të gjata të jetës së saj dhe mënyrën se si në pranverë të vitit 1999, ajo u dëbua me tërë familjen e saj nga banesa në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, e më pas u tërhoq prej kolonës nga ushtarët e policët serbë.

Rrëmbimin e V.B. e kundërshtoi bashkëshorti i saj, i cili mbeti i plagosur në këmbën e majtë teksa po luftonte për të shpëtuar gruan e tij nga serbët e uniformuar.

E pas rrëmbimit, atëbotë 23 vjeçja V.B. përfundoi në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik e ku pohon se u dhunua seksualisht për disa orë nga 12 ushtarë e policë serbë.

 

“Na shtinë në Fakultet, korrili i shkollës bajke foto me aparat. Na kanë dhunu e rreh se u mundojshim me rezistu, por ishte e kotë. 4-5 orë 12 vetë më kanë dhunu veç mua”, rrëfen V.B. për Gazetën Online Reporteri.net, derisa cila pohon se nuk kishte qenë e vetmja viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që u përdhunua brenda objektit të kampusit universitar të Prishtinës.

Tutje ajo tregon mendimet e para që i erdhën në kokë pasi u lirua nga serbët.

“Kur kanë dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”, shton V.B.

Përgjatë rrëfimit, i cili publikohet i plotë nesër në Gazetën Online Reporteri.net, V.B. shpalos bisedën e parë me burrin dhe vjehrrin pas ndodhisë, rikthimin në Kosovë e pasojat që i la kjo ngjarje tragjike e pranverës së 1999.

ExpressAktiv

kidsofkosova.net